Igli Tare dhe Simone Inzagi, “Perandoria Lacio” është ngritur nga këta dy kampionë!

Ka të paktën dy personazhe pas këtij suksesi të madh. Nëse Lacio fitoi sërish Superkupën e Italisë kndër Juventusit, dhe mbylli një 2019 të shkëlqyer, meritat kryesore janë të trajnerit Simone Inzagi dhe të drejtorit sportiv, Igli Tare. Nën udhëheqjen sportive të tyre, kryeqytetasit fituan më herët edhe Kupën e Italisë, në finalen ndaj Atalantës, ndërsa në 2017 bënë të vetën një tjetër Superkupë.

Shqiptari mbërriti si drejtues i klubit italian në 2008 duke u bërë menaxher i skuadrës, ndërsa një vit më vonë pasi përfundoi kualifikimin e detyrueshëm, u bë drejtor sportiv, detyrë që vazhdon ta kryejë. Në 2016 ishte intuita e tij dhe vullneti i presidentit Lotito që në krye të skuadrës erdhi Simone Inzagi, ish-lojtar i Lacios. Një futbollist i bardhekaltërve, që fitoi titullin kampion në vitin 2000, Inzagi u tregua gjetja e duhur.

Protestat e fuqishme të tifozëve në kompleksin e klubit në Formelo, shpejt morën fund, dhe Tare u bë i adhuruari i publikut. Shqiptari tregoi nuhatjen për goditjet e duhura në treg duke sjellë lojtarë me parametra të ulët, e duke i bërë yje të rëndësishëm. Një prej tyre edhe Tomas Strakosha, portieri i kombëtares shqiptare që mbërriti në Romë në 2012, dhe shpejt u bë një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Strakosha është pjesë e katër trofeve lacialë, dhe në finalen e Superkupës tregoi sërish vlerat e tij.

Një skuadër e formuar nga Inzagi dhe Tare dha rezultat dhe Lacio fitoi Superkupën e Italisë në 2017, trofeu i parë pas 4 vjetësh. Më pas, erdhi Kupa e Italisë në maj 2019 dhe tani Superkupa italiane, me triumfin në Arabinë Saudite ndaj Juventusit. Objektivi ende i paarritur është kualifikimi për në Champions, në garën më të madhe të klubeve në Europë, diçka që në 2018 nuk u realizua nga humbja në javën e fundit ndaj Interit.

Gjithsesi, ky sezon premton pasi Lacio është në vend të tretë në Serinë A, shumë pranë kreut, duke treguar forcën edhe me fitoren 3-1 po ndaj Juventusit. Vetë Inzagi shprehet se skuadra e tij mund të arrijë jo vetëm Championsin, por edhe titullin, veçse duhet që lojtarët të mbeten me këmbë në tokë, dhe të mos kenë eufori. Tifozët e shprehën gjithë besimin e tyre, ndërsa me mijëra e pritën Lacion në Aeroportin e Fiumiçinos ndërsa kthehej triumfatore nga Arabia Saudite.

Sfidanti.al