U habitët nga Premier Liga e djemve? Bjellorusia nis edhe futbollin e femrave!

Deri tani ka habitur sepse nuk ka ndalur topin për djemtë. Bjellorusia vendosi ta bënte surprizën të plotë, duke filluar edhe futbollin e femrave, pavarësisht koronavirusit. Në shtetin lindor europian u luajt Superkupa fituar 2-0 nga Minsku kampion ndaj Zvezdës. Pas duelit të vajzave në stadiumin e kryeqytetit Minsk, Federata Bjelloruse e Futbollit hodhi edhe shortin e kampionatit për femra, dhe pritet të fillojë Premier Liga e përbërë nga 8 skuadra. Minsku, shtatë herë radhazi kampion, është favorit për ta fituar titullin sërish.

Ndërkaq, Premier Liga e djemve vazhdoi ndeshjet e fundjavës, duke luajtur fillimisht dy prej tyre. Garadeja fitoi 1-0 në fushën e Belshinës, dhe Dinamo e Minskut triumfoi 2-0 në stadiumin e saj ndaj Torpedos së Zhoxhinës. Elis Bakaj, futbollisti 32-vjeçar shqiptar, po ashtu është aktiv këtë javë, ndërsa Dinamo e Brestit, kampione në fuqi dhe fituese e Superkupës ka përballë Sllavian e Mazirit. Federata Bjelloruse e Futbollit, gjithsesi, vendosi ditët e para të prillit që të ndëpriste pa afat kampionatet e të rinjve për djem e për vajza.

Duket se Bjellorusia po përpiqet të fitojë sa më shumë vëmendje në këtë periudhë të veçantë për të gjithë botën, ndërsa edhe ekonomia e saj vazhdon si përherë. Traktorët punojnë nëpër fusha, siç ka porositur presidenti Lukashenko, ndërsa në republikën ish-sovjetike raportohen se ka 351 të sëmurë me koronavirus dhe 4 të vdekur nga kjo epidemi.

Sfidanti.al