Nga fati i Bundesligës deri tek trajneri Flik, Rumenige rrëfen sekretet e sezonit!

I pari është lajmi për njeriun e stolit. Tek Bajerni e kanë ndarë mendjen që të vazhdojnë me Hansi Flikun, dhe duket se trajneri e ka rinovuar kontratën në “Alianc Arena” me stilolapsin që i dhuroi shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, pas fitores 3-0 në Londër ndaj Çelsit për Ligën e Kampionëve. Sukseset e mëdha të ish-ndihmësit të përjetshëm e bindën klubin e madh gjerman që t’i jepnin Flikut besimin e plotë, duke hequr nga mendja që të kërkonin për trajner tjetër.

Lajmi i dytë ka të bëjë me fatin e sezonit në Bundesligës, dhe këtë e jep sërish Rumenige. Legjenda e Bajernit, informon se drejtuesit e klubeve dhe krerët e kampionatit janë marrë vesh për të rinisur gjithçka fundjavën e parë ose të dytë të majit, gjithnjë nëse gjendja me koronavirusin do ta lejojë diçka të tillë. Plani i përpiluar parshikon shumë pak javë të ashtuquajtura “angleze”, pra me nga dy ndeshje për 7 ditë, diçka që nuk pëlqehet nga klubet dhe, sidomos nga lojtarët.

Nëse gjithçka do të shkojë siç mendohet, sezoni i Bundesligës do të mbyllet në 30 qershor, sipas edhe parashikimit të UEFA-s. Kategoria e parë dhe e dytë kanë edhe nga 9 javë të mbetura, ndërsa shpresohet të merret leje nga autoritetet shtetërore dhe mjekësore, për të luajtur pa spektatorë. Tri javë më parë, Borusia e Mynshengladbahut e luajti një ndeshje të tillë pa publik, ndaj Këlnit, por pastaj kampionati u ndërpre.

Sfidanti.al