Tre fitore e 12 gola me Solskjerin; Pogba: Kështu duam të luajmë!

“Fryma” e dikurshme e Sër Aleks Fergusonit është rikthyer, madje kishte ndodhur që përpara sesa ish-trajneri legjenda të shkonte në stërvitjen e Mançester Junajtidit. Skuadra e drejtuar tashmë nga Ole Gunar Solskjer arriti fitoren e tretë radhazi, këtë herë 4-1 ndaj Bornmuthit, me trajnerin norvegjez që njeh vetëm suksese, dhe me Pol Pogbanë që e shprehu qartë mendimin e shokëve.

“Kjo është mënyra sesi duam të luajmë, – tha francezi, autor i dy golave, – ne tani jemi skuadër më shumë sulmuese, ne duam të sulmojmë, dhe trajneri dëshiron të sulmojë, ne luajmë më përpara dhe krijojmë më shumë shanse. Ndoshta vetëm tani ne e kemi kuptuar se jemi Mançester Junajtidi dhe duam të jemi në krye të kampionatit”.

Pogba ka shënuar 4 gola në 3 ndeshje me Solskjerin, ndërsa ka shërbyer edhe asiste për shokët. Junajtid është në vend të gjashtë, 8 pikë larg zonës Champions, që nuk duket e paarritshme.

Sfidanti.al