Tragjedi në burg, var veten ish-kampioni i futbollit amerikan!

Aron Hernandez ka qenë një nga kampionët e Nju Inglënd Patriotsëve. Ka qenë, sepse për fat të keq, tani nuk është më. Ish-ylli i futbollit amerikan ka vrarë veten, ndërsa ndodhej në një burg federal, i dënuar për jetë. Dënimi ishte për vrasje, dhe ai mesa duket bëri edhe vrasjen e fundit përsa kohë ekzistoi, këtë herë ndaj vetes. Hernandez ishte në burgun e Shirlit në Masaçusets dhe autoritetet thanë se kishte varur veten, pra vdekja i kishte ardhur nga asfiksimi.

Ish-futbollisti amerikan 27-vjeçar u dënua përjetë në 2015 nga një trupë gjykuese në Boston, pasi u nxorr fajtor për vrasje me dashje dhe për 4 vepra të tjera penale. Ai u arrestua në 2013, i akuzuar se shtiu 6 herë me pistoletë ndaj Odin Llojdit, një lojtar gjysmëprofesionist që në atë kohë ishte i dashuri i motrës së të dashurës së Aronit. Ai u dënua edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa të premten e kaluar iu hoq akuza për vrasjen e dy burrave në vitin 2012 në një lokal nate në Boston.

Hernandez kishte lindur në një geto në qytetin Bristol në Konektikat, dhe sipas atyre që e njihnin, nuk kishte mundur të ndahej kurrë plotësisht nga e kaluara që e kishte lidhur me kriminalitetin e vogël që në moshën e adoleshencës.

Sfidanti.al