Ende vazhdojnë komentet dhe polemikat që shkaktoi ndeshja e dytë çerekfinale mes Ralit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut, me anë të së cilës ekipi titullmbajtës (Reali) arriti që të dalë në gjysmëfinale të Ligës se Kampioneve me ndihmën e gjyqtarit kryesor, Viktor Kasai. Ky gjyqtar hungarez, me vendimet e tij mjaft të diskutueshëm, shumica në kurriz të ekipit bavarez, u bë një mbështetje e fortë për ekipin “mbretëror” dhe, tani, është interesante se cili do të jetë qëndrimi i UEFA-s mbas gjykimit të tij në “Santiago Bernabe”. Ndërkohë, faqet e internetit dhe rrjetët socialë vazhdojnë të gëlojnë nga komentet dhe kritikat në adresë të gjyqtarit hungarez dhe Realit të Madridit që përfitoi nga gabimet e Viktor Kasait.
Në këtë valë kritikash, u përfshi edhe legjenda kolumbiane e futbollit, Faustino Asprilja, asi i dikurshëm i Njukasllit dhe të Parmës, fjalët e të cilit, sidomos, në adresë të Realit, ishinm mjaft të ashpra. “Mjaft më! Real, ndërpriti vjedhjet, ti, vjedh gjithçka, gola nga ofsajti, kartona të kuq… Ndërpriti vjedhjet, je bërë si një ekip minjsh që vjedhin gjithçka që gjejnë!”, shkroi Asprilja në profilin e tij në twitter. Sidoqoftë, më pas, Asprilja vuri në dukje se profili i tij gjoja ishte hakuar, se këto komente ai nuk i kishte bërë dhe se “haker”, sipas tij, në këtë rast, ishte lojtari i Barcelonës, Zherar Pike!
Sfidanti.al