Tomas Myleri dhe Mançester Junajtidi, kur të prish punë gruaja!

E thotë Luis Van Gali dhe trajneri holandez është ai që e vuajti atë që ndodhi atëherë. Kur ish-tekniku i Ajaksit ishte tek Mançester Junajtidi, u përpoq të merrte Tomas Mylerin nga Bajerni në vitet 2014 e 2015. Me gjasë, edhe mund të arrihej ndonjë marrëveshje dhe mediat angleze shkruajnë se Van Gali ishte gati të jepte 84 milionë paundë stërlina të asaj kohe për kartonin e sulmuesit, si dhe një rrogë prej 16 milionë paundësh stërlina në sezon. Bajerni edhe mund të kandisej, sidomos të bindej lojtari, por kundër doli në mënyrë vendimtare gruaja e tij, Liza. Një kalorëse profesioniste që merr pjesë në garat e hipizmit, Liza nuk deshi që familja të largohej nga Gjermania dhe veçanërisht nga Mynihu, ku ata kishin krijuar jetën e tyre. “Liza ishte shkaku, – thotë Gan Gali, – të paktën kështu i tha Tomas Myleri, asistentit tim Marsel Bout, që po bënte bisedimet”.

Sfidanti.al