“Monstra” Adetokumbo ndihmon Miluokin të mposhtë Lejkërsat

Nuk e pati duelin që priste me legjendën e vjetër, por gjithsesi bëri detyrën. Janis Adetokumbo i duhet sot më shumë se kurrë Miluoki Baksave që përkundër titullit të fituar vjet në NBA, janë në krizë rezultatesh. Fitorja në shtëpi ndaj Los Anxhelos Lejkërsave u arrit me shumë vështirësi, me shifrat 109-102, dhe Adetokumbo shënoi 47 pikë e kapi 9 topa në tabela, si dhe shërbeu 3 asistë, bllokoi 1 gjuajtje e vodhi 1 top nga kundërshtarët. Kapiteni e ka pak më të lehtë sepse në fushë janë Kris Midëlton dhe Xhru Holidei, ndonëse Bruk Lopez mbetet në “konvaleshencë”.  Lebron Xhejms nuk mundi sërish të luajë për Lejkërsat, dhe u bë kohë që mungon për shkak dëmtimi. Horton-Taker ishte më i miri për kalifornianët me 25 pikë dhe 12 topa në tabela, Entoni Dejvis pati 18 pikë e 9 topa në tabela, Karmelo Entoni 10 pikë dhe Rasëll Uestbruku 19 pikë e 15 asistë. Miluoki është shumë dobët në renditje, në vendin e 11-të në Lindje, ndërsa Lejkërsat janë në vendin e 8-të në Perëndim.

Sfidanti.al