Shpresat për titull botëror mund të shuhen edhe kështu. Sebastian Fetel mbeti 28 pikë prapa rivalit të tij të madh, Ljuis Hamilton, pas aksidentit të rëndë në garën e Singaporit. Formula 1 përjetoi një nga momentet më dramatike të gjithë historisë së saj, kur Fetel dhe shoku i tij i Ferrarit, Raikonen, së bashku me Red Bullin e Verstapenit u përplasën me njëri-tjetrin dhe dolën nga konkurrimi që në nisje. Ishin 200 metrat më fatale të Ferrarit përsa kohë merr pjesë në kampionatin botëror.
Hamilton përfitoi duke kaluar Riçardon dhe duke mbajtur kryesimin deri në fund. Me 6 gara deri në përfundim, piloti anglez duket shumë pranë titullit të katërt botëror në karrierë, për t’u barazuar me Fetelin. Tridhjetedyvjeçari ka 263 pikë ndaj 235 të gjermanit, ndërsa arriti fitoren e 60-të në Formula 1. “Kurrë mos e humb besimin!”, ishte komenti i shkurtër i kryesuesit pas garës.
Jehona e përplasjes ishte e madhe në mediat europiane. “La Gazeta delo Sport”: Singapor, triumfon Hamiltoni. Katastrofë e Ferrarit, Fetel e Raikonen jashtë që në nisje. “Il Korriere delo Sport”: Asnjë sanksion për incidentin në nisje. Komisarët e garës vendosën kështu pasi dëgjuan të tre pilotët e aksidentuar.
“Bild”: Kush është fajtor për përplasjen e Fetelit? Fitorja e Botërorit vështirësohet edhe më tej pas goditjes me kolegun tek Ferrari! “Deili Meil”: Kaos në xhiron e parë të Çmimit të Madh të Singaporit, me Fetelin, Verstapenin dhe Raikonenin që u përplasën për t’i dhënë avantazhin Hamiltonit. BBC: Ljuis Hamilton fiton në Singapor pasi makinat Ferrari u përplasën! Ja dhe “Marka”: Të gjithë bëjnë me faj Fetelin, por gjermani thotë se nuk e ka idenë se çfarë ndodhi!
Sfidanti.al