Duhej të kishte qenë mbrëmja e lumturisë. Mançester Junajtidi shkëputi “me thonj e me dhëmbë” një fitore tepër të vështirë në fushën e Fulhamit për Premier Ligën angleze, duke u ngjitur fare pranë zonës Champions. Gjithsesi, pikërisht tani kur gjërat duket se po kthehen për mbarë, dhe se trajneri Erik Ten Hag po shkon përpara me një skuadër të bashkuar, mendoi dikush për të prishur punë. Ky dikur nuk ishte tjetër përveçse Kristiano Ronaldo, që dha një intervistë shpërthyese për prezantuesin Pirs Morgan, dhe ku tha se nuk ka respekt për trajnerin, dhe se nuk e duan në ekip.
Jo vetëm trajneri, por edhe dy apo tre të tjerë aty në klub”, – thotë ai. Në nivelin e lartë ekzekutiv? – e pyet Morgani. “Po, dhe unë ndihem i tradhëtuar, – shton CR7, – Nuk po diskutoj nëse duhet t’i them këto gjëra apo jo, por njerëzit duhet ta dinë të vërtetën. Unë ndihem i tradhëtuar dhe ndjej se disa njerëz nuk më duan mua aty, jo vetëm këtë vit, por edhe gjithashtu edhe vjet”.
Legjenda portugeze akuzoi klubin për prapambetje prej 9 vitesh. “Nuk e di se ç’po ndodh, por që kur Sër Aleks Fergusoni u largua, nuk pati përparim në klub, – theksoi ai, – Progresi ishte zero. Ne kemi shembullin që pas shkarkimit të Oles, klubi mori si trajner një drejtor teknik si Ralf Rangniku, diçka që askush nuk e kupton. Ai nuk është as trajner, dhe që një klub kaq i madh si Mançester Junajtidi e bën trajner nuk më habiti vetëm mua, por gjithë botën”.
Reagimet për intervistën e CR7-ës ishin të shumta, dhe tifozët e Mançester Junajtidit i dolën kundër duke e quajtur fajtor. Ata u shprehën në krah të trajnerit dhe të klubit. Analistët nëpër studio deklaruan se këto deklarata janë fundi i palavdishëm i karrierës së tij në “Old Traford”, aty ku la gjurmë të pashlyeshme dhe fitoi aq shumë trofe individualë dhe ekiporë. Pas Botërorit duket se Kristiano Ronaldon do ta shohim me një fanelë tjetër, por a do të mundet ai ta vazhdojë karrierën në nivele të larta?
Sfidanti.al