Mediat italiane, jehonë Juventusit: Me “Ligjin e Keanit”!

Kjo ka ndodhur rreth një muaj e gjysmë më parë. Kur Juventusi doli i mundur edhe nga fusha e Monzës debutuese në Serinë A, edhe tifozët më fanatikë nuk patën më shpresë. Katastrofa dukej shumë pranë, aq më tepër që “Zonja e Vjetër” provoi një dështim të jashtëzakonshëm në Champions, duke u eliminuar që në grup pas plot 5 humbjeve në 6 ndeshje. Për Juventusin e trajnerit Masimiliano Alegri u parashikua çdo e keqe, dhe trajneri u cilësua një “dinosaur” jashtë kohës sonë, veçse sot kritikët duhet t’i kafshojnë sado pak buzët. Rekordmenët e titujve janë në vendin e tretë në Serinë A pas fitores 3-0 ndaj Lacios me dy gola të Moise Keanit dhe një të sulmuesit tjetër, Milik.

Tashmë, Juvja ka 6 suksese radhazi në kampionat duke rikuperuar rrufeshëm pozicionet. “Ligji i Keanit, – shkruan “Tutosporti” i Torinos, – një dygolësh i madh i sulmuesit rrëzon Lacion. Kean dha fitore edhe në Veronë!” “Ringjallje”, – brohoret “Il Korriere delo Sporti”, – dygolësh i Keanit, fitorja e gjashtë radhazi. Maksi, nga i 8-ti në vend të tretë në tre javë  “La Gazeta delo Sport” ka tjetër koment: Milani, Juventusi dhe Interi paralajmërojnë Napolin. Nuk ka marrë fund ende!” Lajmi tjetër shumë i mirë për bardhezinjtë ishte kthimi i Federiko Kiezës pas një dëmtimi që e la jashtë për gati 10 muaj.

Sfidanti.al