Anglezët kanë qenë mbretërit e huliganizmit në vitet 80-të, por ultrasit e dy skuadrave të mëdha të Beogradit duan që ta kenë ata kurorën. Një hap më shumë drejt arritjes së qëllimit e bënë në derbin e fundit Partizan-Crvena Zvezda, të luajtur në ish-Stadiumin e Ushtrisë Popullore Jugosllave. Rezultati doli 1-1 dhe i shtoi shanset e bardhekuqve për të fituar titullin, por kush e kishte mendjen tek ai.
Serbët thonë me shaka që kur luhet derbi, në stadiume ka më shumë policë sesa tifozë, edhe pse në impiantin e Partizanit ishin padyshim rreth 30-35 mijë spektatorë.
Dhuna shpërtheu kur u mor vesh se mjaft nga tifozët miq kishin siguruar bileta në sektorë të stadiumit që duhej të ishin vetëm për ata vendas. Kur themi dhunë, ajo është me shkronja të mëdha DHUNË! Me dhjetëra njerëz u gjakosën, u përleshën keqazi dhe u desh ndërhyrja e policisë dhe xhandarmërisë, qoftë edhe për të kufizuar pasojat. Mediat beogradase njoftojnë se u plagosën 20 tifozë, por lajmi i mirë ishte që “asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën”!
Sfidanti.al