Nuk është pak që një 22-vjeçar nga Europa të jetë elementi vendimtar i një skuadre të madhe të NBA-së. Ja që kështu është për Kristaps Porzingisin dhe Nju Jork Niksin. Letonezi u rikthye nga dëmtimi dhe pasi e mori veten fizikisht shpërtheu në ndeshjen ndaj Los Anxhelos Lejkërsave. Fitorja ishte e vështirë, vetëm me 4 pikë diferencë (113-109) edhe pse luhej në Nju Jork, por Porzingis e bëri të vetën.
Shtatlarti 2.21 metra shënoi 37 pikë në 40 minuta në fushë, dominoi tabelat duke kapur 11 topa, dha 1 asist, vodhi një top dhe i bllokoi 5 gjuajtje kundërshtarëve, ndonëse edhe atij iu bllokuan 4 gjuajtje. “Porzingis po e ngre nivelin e tij si shënues në standardin e një superstari” ishte refreni i mediave amerikane. Statistikat nuk falin, pasi Porzingis u bë i pari lojtar në historinë e NBA-së që shënon 37 pikë, kap 11 topa në tabela, bllokon 5 gjuajtje, dhe shënon 5 gjuajtje për tri pikë.
Me largimin e Karmelo Entonit, Porzingis po udhëheq me sukses Nju Jorkun duke shënuar mesatarisht 25.5 pikë për ndeshje, dhe duke pasur saktësi të madhe në gjuajtje, pavarësisht nga distanca.
Sfidanti.al