Uellsiani po e priste rastin e tij. Pavarësisht nga këmbët “prej qelqi”, Garet Bejl, ishte i sigurt se do të linte shenjë në Kupën e Botës për Klubet, dhe pikërisht në ndeshjen e parë të madrilenëve, atë ndaj Al Xhazirës në Japoni. Pasi bëri shaka në stol, në krah të Toni Krosit, ylli i marrë për 100 milionë euro, hyri më në fund në fushë dhe menjëherë vuri “vulën”. Goli i tij fiksoi rezultatin 2-1 dhe fitoren e Realit.
Vështirë të ketë ndonjë futbollist tjetër më fatkeq sesa eleganti 28-vjeçar. Bejl ka pësuar 18 dëmtime në 4 vjet tek Reali, duke humbur 40 nga 60 ndeshjet e fundit. Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar të shënojë 71 gola në 161 ndeshje, të fitojë 3 Champions, La Ligën si dhe shumë trofe të tjerë, po ashtu të arrijë gjysmëfinalet e Euro 2016-ës me Uellsin.
Kristiano Ronaldo paska pasur të drejtë kur deklaroi se është i lumtur që Bejl po kthehej nga dëmtimi dhe se do të ishte gati për të luajtur. Mediat raportojnë se disa nga shokët tek Reali u mërzitën me portugezin, por CR7-ta gjithnjë ka thënë: “Dua të luaj me Benzemanë dhe Bejlin”.
Sfidanti.al