Zllatan Ibrahimoviç dhe Pep Guardiola dihet mirë që nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin. Dihet që Ibra ka folur disa herë keq për trajnerin, edhe pse Pep nuk ka hyrë në debat. Gjithsesi, polemika vazhdon dhe ku kishte rast më të mirë sesa pas derbit me grushta të luajtur në “Old Traford”. “Skaj Italia” (Sky) i dha rast suedezit që të hapte plagët e vjetra dhe ai nuk ngurroi.
“Kur unë hyja në dhomë, ai dilte, – u shpreh lojtari me origjinë boshnjake, – kur unë shkoja të bisedoja me të, ai gjente diçka tjetër për t’u marrë, unë e kuptoj se kishte diçka përtej futbollit, dhe problemi ishte i tiji, ai nuk e kishte zgjidhur problemin me mua”.
“Mbaj mend që ditën e parë që shkova tek Barça dhe ai më tha se lojtarët e Barcelonës nuk vinin në stërvitje me Porshe apo Ferrari, – vazhdoi Zllatani, – ai më paragjykoi, por nuk mund ta paragjykosh një person kur nuk e ke njohur. Unë e kam përvojën time me të, nuk di të them për të tjerët, por kam dëgjuar që probleme patën edhe Manxhukiç apo Eto. Padyshim, ai nuk ishte trajneri më i keq me të cilin kam punuar, por ishte më i papjekuri”.
Dakord, veçse ky trajner “i papjekur” ka fituar 21 trofe me Barcelonën dhe Bajernin, si dhe pret që të fitojë trofetë edhe me Mançester Sitin.
Sfidanti.al