Taulant Stërmasi, trajneri kampion i Europës që merr 21 000 lekë rrogë në muaj!

Rezultatet flasin vetë, e përgatitja nuk ndalet. Kush nuk e njeh Luiza Gegën, e bashkë me të edhe trajnerin e saj, Taulant Stërmasin, që 2022-in e kthyen në vitin më triumfal të atletikës shqiptare. Pasi Gega u shpall kampione e Europës dhe e Mesdheut, doli e pesta në botë dhe theu disa herë rekordin kombëtar, Universiteti “Marin Barleti” vendosi ta nderonte trajnerin Stërmasi. Vlerësimi me Çmimin “Barleti” pati motivimin e nënkuptuar, për rezultate të larta dhe rritje të imazhit të Shqipërisë në botë. Stërmasi, siç e ka zakon, foli në mënyrë modeste. “Kam 22 vjet që jam trajner atletike, – tha ai, – gjithmonë kam menduar se mund të përmirësohemi. Parimi nuk është të jesh më i mirë se tjetri, por që të jesh më i mirë se vetja”. Arritjet nuk duhet të fshehin problemet e mëdha të sportit shqiptar, që Stërmasi i rreshtoi qartë. “Jam trajneri më i paguar i atletikës në Shqipëri dhe marr 21 mijë lekë të reja rrogë në muaj, – tregoi tekniku, – me këtë rrogë nuk ka trajnerë të vëmendshëm. Ka trajnerë që nisin punën në orën 18:00 dhe e përfundojnë në 19:30. Kemi probleme financiare dhe të infrastrukturës”.

Sfidanti.al