Sukseset e Gjermanisë, përmbysjet, penalltitë, golat prej infarkti!

Nuk ka skuadër tjetër si kjo në botë. Brazili mund të jetë 5 herë kampion i botës dhe Italia katër herë, por atë që ka bërë Gjermania, s’kanë mundur ta arrijnë. Formacioni katër herë kampion i botës dhe tri herë kampion i Europës është rekordmen për golat e shënuar në minutat e fundit, për përmbysjet dhe për sukseset me penallti. Të gjitha sprova të një force të madhe psikologjike.

Golat në fund, të quajtur gola infarkti, i ka shënuar plot 8 herë. Hrubesh i dha titullin europian ndaj Belgjikës në 1980, Birhof i dha titullin europian në 1996 me golin e artë ndaj Çekisë, dhe Mario Gëce i dha titullin botëror pak minuta para fundit, në shtesë, në 2014.

Mateus i dha fitoren në fund ndaj Marokut në 1986, Veber dërgoi në shtesë finalen botërore të 1966-ës ndaj Anglisë në të 89-ën minutë, dhe Hëlcenbajn çoi në shtesë finalen europiane ndaj Çekosllovakisë në 1976, po në minutën e 89-të. Filip Lahm siguroi finalen në 2008 ndaj Turqisë, në minutën e fundit, ndërsa Nojvil dha fitoren ndaj Paraguajit në Botërorin 2002, një minutë para fundit.

Penalltitë kanë qenë specialitet i tyre. Nga shtatë seri 11-metërshash kanë fituar gjashtë, në 1982 ndaj Francës në gjysmëfinale të Botërorit, në 1986 ndaj Meksikës në çerekfinale të Botërorit, në 1990 ndaj Anglisë në gjysmëfinale të Botërorit, në 1996 po ndaj Anglisë në gjysmëfinale të Europianit, në 2006 ndaj Argjentinës në Botëror, ndaj Italisë në Euro 2016.

Gjermanët kanë fituar me përmbysje dy finale të mëdha të kupave të botës, ato ndaj Hungarisë në 1954,  dhe Holandës në 1974. Humbja e vetme me penallti ishte në finalen e Euro 1976-ës ndaj Çekosllovakisë, ndërsa dështimi i vetëm i madh mbetet ai i 1967-ës, kur nuk shkuan në finalet e Europianit pas barazimit 0-0 në Tiranë. Goli i minutës së fundit shtesë ndaj Suedisë, thjesht ishte një tjetër episod në këtë histori të madhe.

Sfidanti.al