Strakosha hero dhe fajtor, mrekullia “Atalanta” nuk kursen as Lacion!

Kampion në fund del ekipi që gabon më pak. Kur Interi barazon në shtëpi me Sasuolon dhe Lacio përmbyset në Bergamo, padyshim që “skudeto” do t’i takojë Juventusit, edhe kur ekipin “aristokrat” e drejton një trajner “plebe” si Mauricio Sarri. Vulën titullit duket se ia vuri Atalanta, mrekullia e Italisë dhe e Europës, që realizoi një tjetër bëmë të madhe, duke përmbysur nga 0-2 në 3-2 pikërisht ndaj Lacios, pretendente për titull. Në Itali, sidomos, ndodhin rrallë këto përmbysje, në një futboll shpesh shumë taktik, si lojë shahu.

Portieri shqiptar, Tomas Strakosha, pati vend në titujt e mëdhenj të gazetave, për mirë dhe për keq. Gaboi në golin e fundit të bergamaskëve, që vulosi rezultatin, gaboi në pjesën e parë, por u fal nga kundërshtarët, ndërsa bëri 2-3 pritje vendimtare. Më keq se Strakosha ishte Lacio, që këtë herë nuk pati ekulibër, ndonëse kryesoi 2-0 me De Ronin (autogol) dhe Milinkoviç-Saviçin. Imobile pati dy herë mundësi për 3-0, por gaboi. “DEA” e Gasperinit shënoi në pjesën e parë me Gosensin, pastaj barazoi me Malinovskin dhe fitoi me golin e Palominos. Një tjetër duel shqiptarësh në Serinë A, këtë herë fituar nga Gjimshiti ndaj Strakoshës.

Në ndeshjet e tjera, spikasin 2 golat e Edin Xhekos për Romën, që përmbysi shifrat ndaj Sampdorias duke pretenduar jo vetëm Ligën e Europës, por pse jo edhe Championsin. Rezultatet: Inter-Sasuolo 3-3, Atalanta-Lacio 3-2, Roma-Sampdoria 2-1. Renditja: Juventus 66, Lacio 62, Inter 58, Atalanta 54, Roma 48, Napoli 42 etj.

Sfidanti.al