Konte me duart në kokë, Interi është sfida më e madhe e jetës!

Ka qenë gjithnjë fitues, edhe si lojtar, edhe si trajner, por asnjëherë në jetë nuk ka suksese “të shkruara” që përpara. Përtej asaj që besojnë shumë vetë, nuk mund të fitosh nëse nuk i ke përgatitur kushtet e duhura, dhe Antonio Konte, këto kushte tek Interi nuk i ka. Debati mund të jetë i gjatë, dhe tekniku me flokët e mbjellë padyshim që nuk e ka humbur optimizmin, veçse shkalla e asaj që duhet të bëjë është tepër e madhe.

Shkurt e qartë, të zbresë Juventusin nga froni ku mbretëron prej 8 vitesh me radhë, dhe ku duket se do të mbetet edhe këtë sezon. Barazimi 3-3 i Interit me Sasuolon në Serinë A, në “San Siro”, ishte një goditje e rëndë për krenarinë e Kontes dhe për famën e tij si njeri “me prekjen e artë”. Tek Juvja doli kampion në sezonin e parë, po ashtu tek Çelsi, ndërsa me një Itali mediokre thuajse u kualifikua deri në gjysmëfinalen e Euro 2016-ës duke eleminuar Spanjën kampione në fuqi, e duke u mundur nga Gjermania favorite, vetëm pas penalltive.

Konte ka shpenzuar shumë, gati 200 milionë euro, dhe padyshim tifozët e klubi duan rezultate, ndërsa ai mund të fitojë vetëm Ligën e Europës, edhe këtë nëse ia del. Sidoqoftë, nuk duhet harruar se emra të shquar si Ferguson apo Lidholm patën nevojë për disa vjet për të arritur suksesin, pra këtë kohë duhet t’ia japim edhe Kontes. “Një barazim që na dëmton, – tha trajneri, – duhet të dëshpërohemi për këtë. Patëm shumë raste për ta mbyllur ndeshjen, por nuk ia dolëm. Gabuam shumë edhe në mbrojtje, kjo duhet të ndryshojë”.

Sfidanti.al