Kishit dyshime tek Liverpuli? Jo më, pas suksesit 4-0 me Kristël Palasin!

Doni që ta kuptoni sesi u luajt ndeshja në “Anfild”? Mjaftojnë pak statistika, Liverpuli e mbajti topin në zotërim 74 për qind, gjuajti 21 herë drejt portës, 7 herë në kuadrat dhe pati 6 goditje nga këndi, ndërsa Kristël Palasi pati 3 goditje drejt portës, 0 në kuadrat dhe 0 goditje nga këndi. Kjo, përmbledhja me pak fjalë e duelit të Premier Ligës për javën e 31-të, që e afroi skuadrën e Jurgen Klopit edhe një hap me titullin. Çfarë fatkeqësie që tribuna e famshme “Kop” ishte bosh, ashtu si edhe gjithë stadiumi mitik.

Nëse sot, Mançester Siti nuk fiton në fushën e Çelsit, të kuqtë shpallen kampionë të Anglisë për herë të 19-të në histori, vetëm 1 titull pas rekordit të Mançester Junajtidit, dhe pas plot 30 vitesh. Trent Aleksandër-Arnold në 23’, Mohamed Salah në 44’, Fabinjo në 55’ dhe Sadio Mane në 69’ ishin autorët e golave. Ish-mbrojtësi i Liverpulit, Mark Lorenson, analist për BBC-në, deklaroi se “ekipi u kthye në rrugën e duhur pas derbit, Fabinjo është blerje mjaft e mirë, përveç Kariusit, të gjitha blerjet e Klopit janë të mira”. Tifozët u hodhën në rrjetet sociale, sidomos ata më të rinjtë që do të shohin titullin e parë në jetën e tyre.

Mbrojtësi Aleksandër-Arnold komentoi se “u zhgënjyem për barazimin me Evertonin, por sot luajtëm mirë”. “Jemi në një pozicion ku shpresoj që shpejt ta kalojmë vijën e finishit, – vazhdoi ai, – por, nuk presim që Siti të humbë pikë, plus që duhet të shkojmë javën që vjen në fushën e Sitit”. Vetë klubi liverpulas komentoi shkurt në rrjetet sociale: Është në duart tona!

Sfidanti.al