Coronavirus anulon edhe Maratonën e New York; takimi me eventin në 2021

Edhe organizatorët e Maratonës së New Yorkut dorëzohen përballë pandemisë coronavirus. Gara më popullore dhe me pjesëmarrjen më të lartë që këtë vit ishte në edicionin e 50 dhe që ishte parashikuar të zhvillohej të dielën e parë të nëntorit të këtij viti, u anulua  dhe u shty për në vitin 2021.

Në fakt zërat për një anulim të kësaj Maratone kishin filluar të qarkullonin, por tani erdhi edhe komunikimi zyrtar nga ana e organizatorëve; rreziku ishte shumë i madh për të garantuar sigurinë e një eventi që cdo vit mbledh mbi 50 mijë persona dhe që aktivizon mbi 10 mijë vullnetarë, ndërkohë që itinerari kalon në 5 lagje të New Yorkut duke bërë që të ndiqet nga të paktën 1 milion spektatorë.

Administrata e New Yorkut dhe drejtuesit e  New York Road Runners,  që janë pronarët edhe organizatorët e eventit në këtë situatë vendosën të shtyjnë Maratonën e New Yorkut për vitin e ardhshëm duke marrë parasysh edhe mundësinë e një vale të dytë epidemike gjatë muajve të vjeshtës.

Sfidanti.al