Stankoviç: E drejtë që Tirana beson te kualifikimi, nuk pres provokime në Shqipëri!

Nuk është harruar ajo që ndodhi gati 6 vjet më parë, dhe në Beograd e kujtojnë përsëri. Koha bën të vetën, dhe duket e largët dhuna ndaj kombëtares shqiptare në duelin me Serbinë, veçse këtë të martë Crvena Zvezda është mikeshë në fushën e Tiranës, dhe gazetarët serbë ngacmojnë trajnerin Dejan Stankoviç pikërisht për këtë temë. Gjithsesi, ish-lojtari i Interit, ua përmendi me nënkuptim se provokimet i njohin shumë mirë, pasi i kanë pasur në derbet mes Zvezdës e Partizanit.

“Ne do të shkojmë për të luajtur futboll, – ishte përgjigja e tij, – çdo skuadër, çdo klub, çdo vend mund të ketë tensione të caktuara. Ky është futboll, shkojmë të luajmë, të garojmë, dhe që të kthehemi në shtëpi me rezultat. Përsa i përket provokimeve, ato ekzistojnë edhe shumë ndeshje të tjera, ju e dini më mirë sesa unë. Nuk pres asgjë të veçantë”.

Zvezda fitoi lehtë në turin e parë eleminator, 5-0 me Europën e Andorrës, por edhe Tirana ia doli në Tbilisi 2-0 ndaj Dinamos.

“Jemi duke e analizuar kundërshtarin, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, – tha Stankoviçi, – shikuam ndeshjen e luajtur në Tbilisi, dhe vumë re se Tirana është e organizuar si bllok, luan mirë si skuadër në mbrojtje, luan mirë me topin e dytë, kundërsulmon rrezikshëm. Dinamo pati shumë zotërim topi, por unë mendoj se është gabim nëse ke zotërim steril të topit, dhe nuk krijon dot raste. Në fund, vlen rezultati. Në ndeshje të tilla mendoj se vlen shumë përvoja, po ashtu vlen mentaliteti. Duhet të kontrollosh ndeshjen, edhe kur ke probleme duhet të dish t’i zgjidhësh pa u bërë nervoz, i stresuar. Po punojmë shumë për këtë, por natyrisht nuk mund t’iu zbuloj shumë gjëra, dhe do t’i shikoni vetë në ndeshje”.

Çfarë mendon trajneri serb për faktin se trajneri i Tiranës, Egbo, ka besim për kualifikimin? “Mendoj se trajneri i Tiranës ka folur siç duhet, pasi çdo trajner flet në favor të ekipit të tij, duke vlerësuar ekipin e tij, – deklaroi ai, – Natyrisht, nëse ke dalë kampion i vendit tënd, synon të shkosh në fazën e grupeve. Nuk e kam problem që të jemi apo të mos jemi favoritë. Ne i dimë cilësitë tona, e dimë sesi mund të luajmë. Unë jam optimist dhe unë dua që të arrijmë në fazën e grupeve. Gjithsesi, do të jenë 90 minutat e lojës në terren që do të flasin”.

Klubi serb organizoi konferencën për mediat në Beograd, një ditë para udhëtimit, nga pamundësia për të marrë me vete gazetarët në Tiranë, për shkak të situatës së koronavirusit.

Sfidanti.al