Luis Enrike është njeriu që do të mbulohet me lavde, por dikush tjetër do të jetë menduar thellë pas triumfit vullkanik të Spanjës ndaj Kroacisë, një ngjarje e madhe që ndodhi në një stadium të vogël si ai i Elçes. Ky njeri është Hulen Lopetegi, trajneri i dëbuar “me ceremoni” nga posti i trajnerit të kombëtares spanjolle, për mënyrën sesi pranoi kalimin tek Reali i Madridit.
“Çfarë do të kishte ndodhur nëse unë do të kisha mbetur në stol të Spanjës në Botëror?” – ka qenë, me siguri, pyetja që ai i ka bërë vetes. Publiku europian dhe ai botëror është gjithashtu “hazër”: Vërtet, kush do të kishte qenë kampion i Botës, nëse Lopetegi do të kishte vazhduar të drejtonte Spanjën?
Natyrisht, në futboll ashtu si edhe në jetë nuk shkohet me “nëse, nëse”, por merren gjërat ashtu siç vijnë. Pas paraqitjes “pa dhëmbë” në Kupën e Botës, “furitë e kuqe” janë rikthyer fuqishëm nën drejtimin e trajnerit të tyre të ri, Luis Enrike. Pikërisht ekipi i drejtuar prej tij i shkaktoi Kroacisë, nënkampione të botës, humbjen më të rëndë në historinë e saj, disfatë që nuk e kishte provuar as në kohën e Shtetit të Pavarur Kroat të Paveliçit, dhe as që nga 1991-shi e këtej.
Ironikisht, i takoi një ish-barcelonisti si Luis Enrike që të zbatonte në praktikë atë që pritej të ndodhe, “debarcelonizimin” e Spanjës. Vetëm 1 lojtar katalanas ishte në fushë ndaj kroatëve, Buskets, dhe ndodhi pikërisht kështu edhe ndaj Anglisë. Në të kundërt, në formcion ishin 5 lojtarë të Realit, si Ramos, Naço, Karvahal, Asensio dhe Isko, ndërsa pas “dere” pret edhe Lukas Vaskez.
Sfidanti.al