Spaleti, njeriu që erdhi nga “gremina” dhe që kërkon majën!

Kur je futbollist i madh, e ke rrugën të hapur për t’u bërë trajner, edhe nëse vërtet “nuk ia qullos aspak”. E tregoi holandezi Ari Han që punoi me Fejënordin, Shtutgartin, Kinën, Kamerunin dhe Shqipërinë, e kanë treguar edhe shumë emra të shquar në botë. Luçiano Spaleti nuk është një prej tyre. Trajneri i sotëm i Interit ka qenë vetëm një lojtar i Serisë C, dhe si i tillë nuk mund të ndizte emocione në mendjen e presidentëve apo shefave ekzekutivë të klubeve.

Burri i lindur në Toskanë, “lëngoi” për vite të tëra në stolin e ekipeve të vegjël si Empoli, Venecia, Ankona, duke “shijuar” paksa më shumë tek Sampdoria e Udineze. Titujt e tij ishin ngjitja në Serinë B me Empolin dhe fitorja e plej ofit të Serisë C po me Empolin.

Pa arrogancën dhe aftësinë për t’u “shitur” si Zhoze Murinjo, Spaletit iu desh të duronte gjatë derisa në 2005 u bë trajner i Romës. Aty e tregoi veten, ndonëse nuk arriti ta fitonte titullin siç bëri Fabio Kapelo në 2001, por u kënaq me dy Kupa të Italisë dhe një Superkupë. Shkëlqeu në Rusi me Zenitin duke fituar dy tituj kampion, një Kupë të Rusisë dhe një Superkupë, ndërsa vlerësimet nuk i munguan. Në 2005 fitoi “Stolin e Artë” (Panchina d’Oro) në Itali, ndërsa në 2006 e 2007 u shpall Trajneri i vitit në Serinë A.

Me Interin po guxon shumë më tepër, vetë titullin. Suksesi 5-0 ndaj Kievos i nxorri zikaltërit në krye të tabelës së renditjes, edhe pse Spaleti e di se ende nuk ka mbërritur mesi i sezonit. “Ndeshjen e ardhshme e kemi me Juven, të shikojmë se cila prej dy skuadrave është më e fortë për momentin”, – u shpreh ai. Zikaltërit kanë 39 pikë ndaj 38 të Napolit e 37 të Juves, me Romën “e tij” që mund të ngjitet gjithashtu në kuotën e 37 pikëve nëse fiton ndeshjen e prapambetur me Sampdorian.

Sfidanti.al