Solskjer si Fergi: Më mirë një “vrimë” në ekip, se “mendje më vete”!

Në të vërtetë, ai e shprehu mendimin e tij me një fjalë që nuk “e nxë lapsi”, dhe në anglisht i thonë “asshole”. Ata që e kuptojnë, le të mos na e thonë me zë të lartë. Kjo ishte fjala e përdorur nga trajneri i Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, kur shpjegoi idenë e tij sesi duhet të funksionojë një skuadër. Që do të thotë se nuk mund të ketë lojtarë që mendojnë më shumë për vete sesa për ekipin, diçka për të cilën norvegjezi u duk sikur ishte një Aleks Ferguson i ri.

“Më mirë të kem një “vrimë” në ekip, sesa një “as…”, – u shpreh ai, – personaliteti i lojtarëve është shumë i rëndësishëm. Ne jemi një skuadër, dhe duhet të mendojmë si një skuadër. Unë i pëlqej lojtarët që kanë ego dhe duan të bëjnë përpara, por kushdo duhet të përshtatet me ekipin”. Ndoshta, ato fjalë mund të jenë për Pol Pogbanë, “djalin plangprishës” tek Junajtidi, që Solskjeri mund të jetë gati ta largojë. Sezonin e kaluar ai largoi Romelu Lukakun dhe Aleksis Sançezin, lojtarë shumë të mirë, por që duket se ishin mërzitur në “Old Traford”.

Sfidanti.al