Nuk ishte gjëja më e keqe që i ka ndodhur publikut në një ndeshje futbolli. Për të kuptuar se ata tifozë shqiptarë që bombarduan me shishe lojtarët e Polonisë në “Arenën Kombëtare” nuk janë më të këqinjtë e mundshëm, mjaft të hedhësh sytë për të parë se çfarë ndodhi në stadiumin “Uembli” të Londrës ku ultrasit hungarezë u përleshën e u gjakosën me policinë britanike. Ndoshta, ia vlen të kujtojmë edhe dhunën e tmerrshme të tifozëve anglezë të viteve 80-të, me huliganët e Uest Hemit, Miluollit, Liverpulit e të tjerëve që bënë namin sidomos në Europë.
Gjithsesi, ajo që ndodhi në Arenën e Tiranës ishte një skandal që nuk kishte ngjarë kurrë më parë në një ndeshje të kombëtares shqiptare. Një breshëri shishesh plastike të hedhura nga tifozët ndaj lojtarëve polakë pas golit, bënë që ndeshja të ndërpritej nga gjyqtari, i cili madje kërcënoi se nuk do ta luante më tej. U deshën negociata dhe ndërhyrje nga UEFA e FIFA që të vendosej të luhej që nga minuta e 77-të e deri në fund, ndërsa ndërprerja ishte rreth 15-20 minuta. Pritet një gjobë e madhe për Shqipërinë, ndoshta 200 000 franga zvicerane, si dhe mbyllje të dyerve të stadiumit për ndeshjen e fundit në grupin e Botërorit ndaj Andorrës.
Sfidanti.al