Kombëtarja, dyert e shqyera të stadiumit që na ndërprenë ëndërrën

Kështu u zgjuam nga ëndërra për të vazhduar rrugën që të dërgon në Botërorin e Katarit dhe pas mbrëmjes së djeshme, faza “play off” ka mbetur vetëm një propabilitet shumë i vogël matematik. Dhe mënyra se si i zbritëm shkallët nuk ishte më e mira e mundëshme. Fillimisht, një pjesë e skuadrës u infektua nga Covid-19, ndërsa pjesa e përzgjedhur nga Edi Reja nuk mund të bënte më shumë, se sa të arrinte një barazim, i cili gjithsesi nuk do të na vlente shumë në tabelën e klasifikimit. Ndërkohë që sjellja e tifozëve ishte shumë e ekzagjeruar, ose të paktën nuk kishte të bënte fare me mikpritjen. Skuadra në fakt kishte humbur boshtin në ditën më deçisive dhe u detyrua të zbriste në fushë pa Gjimshitin, Gjasulën dhe Cikalleshin, ndërkohë që takimi u la në dorë të një entuziazmi të shfrenuar. Ndërsa përshtypja e shpejtë e atij 90 minutëshi ishte, që ne nuk jemi gati për të interpretuar ndeshje të kësaj rëndësie. E konsideruam se po na afrohej fitorja, pas çdo bilete të shitur, aq sa euforia arriti deri në majat e shtetit, ku u vendos privatisht që të thyheshin rregullat anti-Covid dhe të lejohej që stadiumi të mbushej me kapacitet të plotë. Dhe kështu që ne e lamë pas dore Levandovskin dhe Poloninë e fushës dhe filluan tifozllëkun për lajmet që vinin nga biletaritë, duke u emocionuar nga fitorja epike financiare e FSHF-së.
Në fakt, kjo skuadër duhej lënë e qetë të luante futbollin e vet modest dhe trysnia e vetme duhet të ishte detyrimi për t’u futur në fushë të përulur, me qëllimin për t’u paraqitur në publik me përmasat reale dhe jo gjithë muskuj, me një fizik të paqenë. Ose ndoshta do të ishte më mirë, që drejtuesit e Federatyës të shoqëroheshin sërish vetëm nga presidentët e klubeve dhe kryetarët e Bashkive, si në rastin e Budapestit, ku shpenzimi gjigand ia vlejti. Kombëtarja fitoi, ndërsa Duka çeli fushatën për mandatin tjetër që do ta bënte “Mandelën” e futbollit. Gjithsesi mbaroi vetëm ndërra, për t’u kthyer në jetën normale dhe ky nuk është fundi I botës… përveçse kemi filluar të shqetësohemi që tani për dënimin e mundshëm që mund të marrim nga UEFA, mbi të gjitha sepse mund të shoqërohet me një gjobë që ka mundësi të na e prishë qetësinë financiare të FSHF-së.