Shumë e talentuar, simpatike dhe nga tenistet më të njohura në botë. Numri 1 në botë aktualisht, por një numër 1 pa asnjë Grand Slem të fituar deri pasditen e sotme. Kjo ishte Simona Halep, njëlloj si një futbollist i madh që nuk ka fituar dot Championsin, apo titullin në ligë.
Kjo ishte, por nuk është më, pasi e theu mallkimin në moshën 26-vjeçare, duke “kaluar ylberin” e duke fituar më në fund “Rolan Garosin”. Ishte një betejë e jashtëzakonshme ndaj amerikanes së re e të fortë, Sloun Stefens, sfidë që u duk e humbur në setin e dytë. Amerikania kishte fituar 6-3 setin e parë dhe kryesonte 2-0 në të dytin, por këtu ndodhi mrekullia.
Halep mblodhi veten dhe tregoi përvojën dhe klasin më të lartë të saj në sipërfaqen me dhe të ngjeshur në Paris. Fitoi setin e dytë 6-4 dhe pastaj shumë më lehtë të tretin, 6-1. “Në lojën e fundit nuk po arrija të mbaja raketën në dorë, ndaj mblodha fuqitë për ta përfunduar ndeshjen, pasi nuk doja të bëja gabimin e vjetshëm”, – tha vajza e lindur në qytetin bregdetar rumun të Konstancës.
Deri dje, ajo ishte më shumë e famshme për arsye “gosipi”, pasi ishte detyruar në moshë të re të zvogëlonte gjoksin e saj tepër të madh, që e pengonte gjatë ndeshjeve. Sot, do të kujtohet për “Rolan Garosin”, ndërsa shpreson të ketë sukses edhe në Australian Open (ka arritur deri në finale), në Uimbëlldon e US Open (ka arritur deri në gjysmëfinale).
Sfidanti.al