Silvinjo flet për taktikën, por a do t’i ketë dot lojtarët polivalentë që kërkon?!

Këto kohë janë lënë pas dhe ambicia sot është tjetër. Një futbollist inteligjent dhe ambicioz dëshiron padyshim të shkëlqejë edhe si trajner dhe këtë synon edhe tekniku i ri i Shqipërisë, Silvinjo. Pak ditë pas prezantimit në Tiranë, braziliani 48-vjeçar, ka treguar në një media të rëndësishme teknike të trajningut sesi dëshiron ai ta luajë futbollin. Silvinjo ka folur për median “Zëri i Trajnerëve”, aty ku kanë dhënë leksione edhe të tillë si Ksavi, Benitez, Tite apo Unai Emeri.

“Mua më pëlqen të luaj me skemën 4-3-3, sepse të jep shumë mundësi, por e vërteta është që në pak lëvizje mund të kalosh nga 4-3-3 në 4-2-3-1, dhe sërish me disa lëvizje kalon në 4-4-2, – thotë ai, – Gjithsesi, futbolli është shumë më dinamik sesa një skemë e thjeshtë. Duhet të kesh lojtarë që të zbatojnë 2 apo 3 funksione, që kanë këmbë shumë të shpejta, me cilësi shumë të mirë teknike. Kjo bën që gjithë këta numra të zhduken në fushë”.

Lojtarët e kombëtares mund të kuptojnë se çfarë do të kërkojë trajneri prej tyre. “Kur ne luajmë ndaj një skeme 4-3-3 të një kundërshtari, ne duhet të jemi agresivë ndaj mesfushorit kryesor të tij, – shprehet Silvinjo, – Kjo bën që skema ime 4-3-3, me dy lëvizje të kthehet në 4-2-3-1. Gjithsesi, ne duhet t’i bëjmë presion edhe mbrojtësit të qendrës. Për këtë, kemi nevojë që të kalojmë në një 4-4-2, sepse i duhet bërë presion mbrojtësve të qendrës dhe portierit”.

Silvinjo ka mësuar nga mjeshtrat e stolit si Guardiola, Venger apo Mançini. “Numrat janë shumë të rëndësishëm dhe unë mendoj se taktika mund të ndihmojë lojtarët që janë në fushë, sepse i jep dy sekonda më shumë për të menduar, – mendon ai, – Mbulimi preventiv dhe veprime të tjera të ndihmojnë. Unë kam parë trajnerë që e bëjnë si Guardiola, Tite, Mançini, Venger. Natyrisht, edhe rivali bën lojën e tij. Për këtë arsye kam nevojë për lojtarë multifunksionarë, që të luajë edhe këtu, edhe këtu, edhe këtu. Këta lojtarë të ndihmojnë shumë. Mund të tërhiqet prapa për të fituar një top, mund të luajë mes linjave të reparteve”.

Sfidanti.al