Si i bëhet me Kosovën? Tre nga 4 rivalët e Botërorit nuk e njohin!

Është një problem jo sportiv, por diplomatik dhe i politikës ndërombëtare. Kosova është pranuar vërtet në UEFA dhe në FIFA, dhe merr pjesë normalisht në eleminatoret e Europianit apo të Kupës së Botës, por mund të ndodhë, siç ngjau tani, që të ngrihen pikëpyetje. Si mund të luhen ndeshjet në grupin B të eleminatoreve të Botërorit Katar 2022 kur 3 nga 4 kundërshtarët nuk e njohin Kosovën si shtet?

Këta janë Spanja, Greqia dhe Gjeorgjia, ndërsa vetëm Suedia e ka njohur shtetin më të ri të Europës. Nga 27 vende të Bashkimit Europian, janë 22 “pro” pavarësisë së Kosovës, ndërsa 5 janë ende kundër. Spanja ishte e para që doli me deklaratë zyrtare, duke theksuar se do të duhet të gjendet një formulë sipas rregullave të FIFA-s. Spanjollët do të duhet të gjejnë vetë një zgjidhje, pasi qeveria ia ndalon kombëtares të luajë ndaj një vendi që nuk njihet nga ligji ndërkombëtar, duke pasur gjithnjë frikën nga Katalonja. Kjo mund të bëjë që FIFA t’ia japë ndeshjet Kosovës në tavolinë. Përsa i përket Greqisë dhe Gjeorgjisë, këto vende vërtet nuk e njohin Kosovën, por mund të luajnë. Duhet theksuar se Kosova fillimisht ishte në grupin A, por aty ndodhej edhe Serbia, ndaj kjo u ndryshua.

Sfidanti.al