Barcelona akuzon arbitrin, por humbja ishte shumë më tepër se kaq!

Në minutën e 12-të, gjyqtari i ndeshjes në “Kamp Nou” sinjalizoi pr 11-metërsh në favor të Juventusit pas një dueli në zonë mes Kristiano Ronaldos dhe të riut Arauho. Nga ky vendim erdhi goli i avantazhit i italianëve, shënuar nga portugezi, ndërsa gazetat katalanase u hodhën në sulm, duke e quajtur padrejtësi. Kështu, “Sport”, kështu “El Mundo Deportivo”, dhe këtij kori iu bashkua edhe “Marka” e Madridit që e cilësoi të ekzagjeruar vendimin për penalltinë, pasi dueli kishte qenë trup më trup.

Pavarësisht kësaj, kur sheh shifrat përfundimtare të sfidës së Championsit, 0-3, nuk mund të mendosh se kjo ndodhi vetëm për faj të arbitrit. Nga minuta e 12-të deri në të 93-ën, katalanasit i patën të gjitha mundësitë për të reaguar, por nuk e bënë, madje pësuan një nga humbjet më të rënda të historisë së tyre në Europë. “Nuk mund t’i jepet të pijë një deveje që nuk ka etje”, – thotë një proverb arab. “Nuk mund të detyrohen të luajnë e të fitojnë lojtarë që nuk kanë dëshirë ta bëjnë”, – është aksioma e futbollit.

Ky ishte fundi logjik i një situate të Barcelonës ku më shumë flitet për gjendjen psikologjike të Mesit, për raportin e thyer (apo të paqenë) mes tij dhe Grizmanit, për Dembelenë e çoroditur, Kutinjon si “xhaketë e kthyer”, Pikenë që mungon, Ter Shtegenin që gjithashtu e ka humbur dhe për një trajner që u soll nga një president që ka dhënë dorëheqjen dhe që urrehet nga gjithë Katalonja. Nuk dihet nëse Kumani do të japë dorëheqjen pas kësaj, por edhe nëse nuk e bën ai është, siç thotë shprehja angleze, “një i vdekur që ecën”. Sa për Mesin, ai është një njeri i gjallë, por krejt indiferent për fatin e ekipit, duke pritur orarin që të ngjitet në një tjetër “autobus”.

Sfidanti.al