Për atë që ndodhi në fushën e lojës, ata i lanë “hesapet”, pra mbetën jashtë. Një skuadër si Mançester Junajtidi, që arriti të fitonte në Paris dhe të shkatërronte 5-0 Lajpcigun në gjysmën e parë të ndeshjeve të grupit, mbeti jashtë Championsit pas humbjes vetëm me një gol në Gjermani. Përfundoi 3-2 në favor të Lajpcigut dhe kaq mjaftoi që skuadra e trajnerit Julian Nagelsman të siguronte kualifikimin për vete, dhe të dënonte anglezët me eleminim. Red Bulli ka 12 pikë ndaj 9 të “djajve të kuq”. Spanjolli Anhelinjo (i huazuar nga Mançester Siti) shënoi golin e parë për vendasit, pastaj ai shërbeu asistin për golin e dytë të Haldarës, ndërsa Xhastin Klajvert realizoi të tretin. Bruno Fernandes me penallti dhe Pol Pogba shënuan në 2 minuta (80’, 82’) për Mançester Junajtidin.
Po 9 pikë ka edhe Paris SG që nuk arriti ta luante dot ndeshjen ndaj Istanbul Bashaksehirsporit në kryeqytetin e Francës, për shkak të protestës masive ndaj një episodi racizmi. Edhe nëse ndeshja do të vendosej të luhet dhe PSG ta humbiste, sërish do të kalonte përtej për shkak të bilancit më të mirë me gola ndaj Junajtidit. Shpresa e vetme për anglezët ishte që UEFA të merrte ndonjë masë ndëshkuese për me heqje pikësh ndaj PSG-së dhe Bashaksehirsporit që nuk deshën ta luanin ndeshjen (edhe francezët dolën nga fusha) pasi turqit akuzuan gjyqtarin e katërt (një rumun) për racizëm. Kjo nuk ndodhi, dhe Junajtidi duhet të bëhet gati për Ligën e Europës.
Sfidanti.al