Shqipëria me kampion bote në mundje, medaljen e artë e merr çeçeni Abakarov!

Kur nuk mundemi t’i krijojmë vetë, le t’i marrim të gatshëm. Shqipëria po ndjek shembullin e shumë vendeve të tjera të botës, që fitojnë medalje me sportistë të natyralizuar, dhe falë njërit prej tyre arritëm një kulm. Zelimhan Abakarov u shpall kampion i botës në turneun që po zhvillohet në Beograd, ndërsa dominoi totalisht në finale. Mundësi me origjinë çeçene dhe me nënshtetësi të parë ruse ngriti flamurin kuqezi në kryeqytetin e Serbisë me triumfin 7-2 në ndeshjen fundore ndaj amerikanit Tomas Patrik Gilman. Abakarovi nuk e diskutoi fitoren për asnjë moment, që nga fillimi deri në fund, duke shfrytëzuar klasin dhe përgatitjen e tij në nivel tepër të lartë. Ajo që ndodhi në Arenën e Beogradit nuk kishte ngjarë kurrë, ndërsa mundësit e natyralizuar i kishin dhuruar vendit tonë medalje bronzi europiane dhe medalje ari të kampionit të Mesdheut. Tani erdhi edhe medalja e artë në rang botëror. Mundja po ndjek gjurmët e gjimnastikës që arriti titullin e kampionit të Europës me rusin e natyralizuar Matvej Petrov. Në kampionatin botëror në Beograd mori pjesë edhe mundësi tjetër i Shqipërisë, Islam Dudajev, edhe ky me origjinë çeçene, i cili arriti deri në çerekfinale.

Sfidanti.al