Shije e hidhur dhe e ëmbël për Kovaçin, Favre nuk ka eufori!

Deklaratat edhe ngjanin, edhe ishin të ndryshme, pas ndeshjes. Trajneri I Bajernit, Niko Kovaç, nuk u zhgënjye nga loja, por nga rezultati, ndërsa ai I Dortmundit pati lavdërime për unitetin dhe forcën psikologjike të skuadrës së tij. Mediat e raportuan siç duhet.

“Shije e hidhur dhe e ëmbël, – titullon “Bildi”, – trajneri Niko Kovaç vlerëson lojën dhe dëshiron të harrojë humbjen ndaj Dortmundit. Kroati thotë se kemi shumë punë për të bërë”. “Bildi” thekson më tej se kapiteni Manuel Nojer kritikoi Bajernin e tij pas humbjes, duke theksuar se ishin gabimet e shokëve të tij që i dhanë fitoren Dortmundit”.  Revista “Kiker” bëri sondazhin nëse Dortmundi mund të quhet tashmë favorit për titullin në Bundesligë, e lumtur që papritur konkurrenca doli në ekzistencë.

Trajneri i Borusias, Lysien Favre, komentoi kështu. “Ne e donim absolutisht këtë sukses, – u shpreh ai, – Bajerni ishte shumë i fortë, ashtu siç e prisnim, duke e mbajtur shumë topin, duke bërë presion. Gjithsesi, ne e përballuam trysninë, ishim të duruar dhe patëm rastet më të mira. Skuadra jonë ishte e bashkuar, dhe kjo na dha fitoren. Përsa i përket Bundesligës, Bajerni mbetet favorit, sepse nuk mund të ndryshojnë parashikimet vetëm pas një ndeshjeje”.

Po Niko Kovaç i Bajernit, çfarë ndjenjash pati? “Me vjen keq që humbëm duke e dominuar ndeshjen, – u shpreh kroati, – ne bëmë një paraqitje të mirë, dinjitoze, edhe pse jo të përsosur. Bëmë dy gabime dhe Dortmundi përfitoi. Më vjen keq që lojtarët tanë gabuar në të dyja portat, ndërsa jam i dëshpëruar sepse doja që të fitonim. Gjithsesi, ne jemi vetëm në javën e 4-ët të punës dhe kemi ende gjëra për të përmirësuar”.

Të dyja skuadrat kishin mungesa, pasi për Borusian nuk luajtën të dëmtuarit Humels, Hazar e Brant, ndërsa për bavarezët nuk ishin Lukas Hernandez, Gnabri, Martinez e Byrki, ndërsa Pavar bëri debutimin. Bajerni mbetet favorit për titullin në Bundesligë, ndonëse nuk e fitoi dot Superkupën për herë të katërt radhazi.

Sfidanti.al