Mund të jetë një tango e gjatë, dhe padyshim e vështirë për t’u kërcyer. Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid kanë nisur bisedimet për dy lojtarë, Pol Pogbanë dhe Garet Bejlin. Spanjollët pëlqejnë francezin, ndërsa anglezët duan uellsianin, por kjo nuk mjafton për një “fund të lumtur”. Në “Old Traford” kanë vendosur çmimin e kartonit për kampionin e botës, dhe ky çmim është 150 milionë paundë stërlina, ose 170 milionë euro.
Në “Bernabeu”, ndërkaq, presidenti Florentino Perez mendon se kartoni i Bejlit vlen të paktën 85 milionë euro, një zbritje në krahasim me mbi 100 milionë të paguara kur e morën, por sërish vlerësim i lartë. Junajtid nuk dëshiron t’i paguajë këto para, të paktën jo tani, dhe propozon formulën e huazimit për një sezon. Reali nuk është kundër huazimit, por i duhen para për të marrë Pogbanë, pasi besohet se kursimet nuk janë të tilla për të vazhduar transferimet, pasi u shpenzuan për Luka Joviçin dhe Hazarin.
Nuk dihet mirë sesi mund të zgjidhet ky ngërç, por është e sigurt se në Madrid duhet të shesin kartonët e Bejlit, Hames Rodrigezit, Kejlor Navasit dhe disa të tjerë për të pasur financat e nevojshme për blerjet që synojnë.
Sfidanti.al