Kristiano Ronaldo mund të luajë deri 38 vjeç, thotë trajneri i tij

Natyrisht, nuk dihet nëse do të jenë vite në nivele tepër të larta, por ambicia dhe forma fizike vazhdojnë të jenë të skajshme. Flasim për Kristiano Ronaldon që është sot në prag të një tjetër finaleje në karrierën e tij, në finalen e dytë me Portugalinë, dhe trajneri i saj, Fernando Santos, bën një parashikim.

“Mendoj se Kristiano do të luajë edhe 3 apo 4 vjet të tjerë, – u shpreh Santosi, – fizikisht ai është shumë mirë dhe vazhdon të stërvitet në limit. Mendoj se këta vjet do të luajë sërish në nivele të larta”. CR7-ta është 34 vjeç, ndërsa të premten shënoi 3 gola në fitoren 3-1 ndaj Zvicrës në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, luajtur në “Estadio do Dragao” të Portos. Ekziston mundësia që kjo të jetë mundësia e fundit e Ronaldos për të fituar trofe me kombëtaren, ndonëse ai mendon se mund të triumfojë edhe në Euro 2020.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë ka 88 gola në kombëtare, dhe 689 gjithsej në karrierë, ndonëse tek Juventusi këtë sezon pati vetëm 28 rrjeta në 45 ndeshje, shumë poshtë mesatares së tij tek Reali. Rivali i tij i madh, Lionel Mesi ka 603 gola me klubet (Barcelonën) dhe 67 për Argjentinën, gjithsej 670 gola në karrierë.

Sfidanti.al