Plot 82 vjet për një titull, lumturi gjermane në “Rolan Garos”

Nuk po arrin të ketë një Boris Beker apo Shtefi Graf, por sërish Grand Slemi i Parisit i dha kombit gjerman një gëzim të madh. Tenisi i Gjermanisë fitoi trofeun për çiftet meshkuj në “Rolan Garos” dhe kjo ishte fitorja e parë e kësaj kategorie në 82 vjet. E kuptueshme lumturia e skajshme e tenistëve Andreas Mis (Mies) dhe Kevin Kraviec, ndërsa ngritën lart kupën e turneut të Çmimit të Madh.

Në ndeshjen finale, gjermanët arritën fitoren ndaj dyshes së fortë franceze të përbërë nga Zheremi Shardi dhe Fabris Martin, madje 2-0 me sete, me shifrat 6-2 e 7-6. “E kemi ëndërruar kaq shumë këtë fitore dhe tani nuk kemi fjalë për ta shpjeguar, – tha Kraviec pas ndeshjes, – ishte një udhëtim vërtet i gjatë. Kemi luftuar kaq vjet, dhe do të vijmë sërish këtu për të fituar”.

Gjermanët fituan për herë të fundit (dhe të parë) në Paris në 1937, kur dyshja Gotfrid fon Kram e Hener Henkel mundi dyshen nga Afrika e Jugut, Vernon Kirbi e Norman Farkiharson.

Sfidanti.al