Sa e mirë qenka Anglia, kur as dënimi i Championsit nuk të largon!

Mançester Siti rrezikon shumë që të dënohet nga UEFA dhe të mos marrë pjesë sezonin tjetër në Champions, por kjo nuk duket arsye e mjaftueshme për të larguar nga stoli trajnerin. Pep Guardiola e bëri të qartë këtë, ndërsa sqaroi zhurmat që dolën mbi kalimin e tij tek Juventusi këtë verë.

“Nuk ka vend më të mirë sesa ky për të qenë trajner, – deklaroi katalanasi, – unë kam provuar Spanjën dhe Gjermaninë, dy vende me futboll të madh dhe fitues, por nuk mund të krahasohen me Premier Ligën angleze. Nuk kam qenë në shtete të tjera, por besoj se do të jetë pak a shumë njësoj, pra nëse shkoj në Itali, do të ishte njëlloj sikur të isha në Spanjë”.

Një deklaratë e madhe “dashurie”, jo vetëm për Sitin, por për gjithë futbollin anglez, dhe Guardiola nuk është i pari që e bën. Trajnerë të shquar italianë si Fabio Kapelo, Karlo Ançeloti apo Klaudio Ranieri e kanë thënë më parë, sipas mënyrës së tyre, po ashtu ish-yje të Serisë A si Xhanluka Viali apo Xola. Shkaku kryesor duket se është mungesa e presionit, dhe fakti se në Angli klubet shihen më shumë si model biznesi, pasi kupën dihet që do ta fitojë vetëm njëri ekip, jo 20.

Sfidanti.al