Kënaqësia ishte e madhe për mbërritjen në Katar, por në dhomën e zhveshjes mund të ndodhin shumë gjëra. Ngjau edhe kështu në zhveshtoren e Serbisë përpara ndeshjes ndaj Brazilit në Kupën e Botës, pasi aty u vendos një banderolë me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, dhe ku shkruhej: Nuk dorëzohemi. FIFA vendosi të niste një hetim disiplinor sportiv pas ngjarjes, ndërsa pritet të ketë një vendim për ndëshkimin e Serbisë, që mund të jetë me gjobë dhe me një paralajmërim.
Për ngjarjen protestuan Federata e Futbollit e Kosovës që kërkoi pikërisht reagimin e FIFA-s, si dhe Komiteti Olimpik I Kosovës që I dërgoi një letër proteste dhe informuese Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Në konferencën e shtypit të Serbisë përpara ndeshjes ndaj Kamerunit, gazetari I agjencisë amerikane “Asoshiejtid Pres” (Associated Press) e pyeti futbollistin Marko Grujiç lidhur me banderolën në dhomën e zhveshjes. Në vend të futbollistit foli zëdhënësi I Federatës Serbe të Futbollit, Milan Vukoviç: “Më vjen keq, por ne nuk do t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje”.
E gjitha kjo ndodh vetëm pak ditë përpara ndeshjes mes Serbisë e Zvicrës, ku luajnë dy futbollistë me origjinë shqiptare nga Kosova, si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Pikërisht Xhaka e Shaqiri shënuan golat në fitoren e zviceranëve ndaj Serbisë në Botërorin e Rusisë në 2018, duke festuar me shenjën e shqiponjës të flamurit shqiptar, diçka për të cilën serbët protestuan.
Sfidanti.al