Një nga momentet e saj më të lumtura ishte katër vjet më parë. Kroacia arriti finalen e Kupës së Botës në Rusi në 2018 dhe në stadiumin “Luzhniki” të Moskës nuk mund të mungonte Ivana Knoll, modelja e njohur nga vendi ballkanas. Ajo ia kaloi shumë bukur në atë turne dhe në shëtitjet në Sheshin e Kuq përballë Kremlinit, veçse nuk mund të jetë e njëjta gjë edhe në Katar. E cilësuar si tifozja më seksi e Kupës së Botës, vajza 30-vjeçare rrezikon të arrestohet dhe të dënohet për sfilatat dhe fotot e saj në vendin konservator të Lindjes së Mesme, që organizon kampionatin.
Knoll realizoi një parakalim në shëtitoren buzë detit në kryeqytetin Doha, e veshur me një kostum plazhi me ngjyrat e flamurit të Kroacisë, në formën e fushës së shahut. Jo vetëm kaq, por ajo botoi në faqen e saj në Instagram foto brenda stadiumit ku ishte për ndeshjen e parë të Kroacisë në Botëror, atë ndaj Marokut. Sipas mediave europiane, modelja nuk rrezikon ndonjë dënim për foton në stadium, edhe pse ishte me dekolte të theksuar, sepse ligji në Katar kërkon vetëm që femrat të mbulojnë krahët dhe këmbët në publik.
Rreziku më i madh vjen nga pasarela buzë detit. Shumë tifozë e kritikuan në Instagram. Disa ishin nga Lindja e Mesme dhe kërkonin që ajo të respektonte kulturën e Katarit. Disa të tjerë ishin kroatë që shkruajtën se për ngjyrat e flamurit u derdh gjak, ndërsa ajo i turpëron me sjelljen e saj. Gjithsesi, Ivana ndihet e qetë, ndërsa është e lidhur me futbollin.
“Unë kam luajtur futboll kur kam qenë e vogël, kam qenë portiere, – thotë ajo, – Ky është sporti kryesor i botës dhe njerëzit janë shumë të lidhur, mbështesin ekipet e tyre. Mua më pëlqejnë futbollistët, kryesisht ata të Juventusit dhe Realit të Madridit. Shumë prej tyre më shkruajnë komplimente, por unë nuk u përgjigjem. Unë jam tifoze e Kroacisë, por mbështes edhe fqinjët tanë, Serbinë, Bosnjën, Slloveninë”. Knoll krijoi polemika edhe në prag të turneut duke kritikuar Katarin e duke e cilësuar si Kupën e Botës të organizuar më keq në histori.
Sfidanti.al