Sa shpejt po thuhet “kush ka nevojë për Ronaldon?”!

Edhe tifozët e Portugalisë e patën zemrën të ndarë më dysh. Nuk kishte sesi të silleshin ndryshe, dhe brohoritën kur u lexuan emrat e formacionit bazë me Ronaldon në stol, por edhe brohoritën me të madhe kur ai hyri si zëvendësues në pjesën e dytë. Me rekordet e tij legjendare padyshim që Kristiano ka vendin e tij të veçantë dhe të përjetshëm jo vetëm në kombëtaren e tij, por në të gjitha kombëtaret dhe në të gjithë futbollin botëror. Gjithsesi, po vjen momenti kur nuk po mundet më, aq sa mediat nxituan (për efekt biznesi) të shkruanin “kujt i hyn më në punë Ronaldo?”!

E rëndë, ndonëse janë po ato media që e kanë ngritur në qiell për gati 2 dekada! CR7 hyri në fushë në 73’ dhe bëri pjesën e tij modeste, por nuk shënoi dot. Nuk dihet se cili do të jetë roli i tij i mëtejshëm në këtë Kupë të Botës, të cilën paradoksalisht Portugalia mund ta fitojë ndërsa ai është në perëndim. Gazetat shkruan se “pasi i erdhi fundi karrierës tek Man. Junajtidi, duket se po i vjen fundi edhe kësaj në kombëtare”. Vetë heroi 37-vjeçar doli i vetmuar nga fusha në përfundim të ndeshjes madhështore ndaj Zvicrës fituar 6-1, por që për të ishte e trishtueshme.

Sfidanti.al