Sa shpejt kritikohen Piontek e Imobile, mjaft një mbrëmje “thatësire”!

Është dita kur ngrihen në qiell mbrojtjet dhe “varrosen” sulmuesit. Kjo, analiza e mediave në Itali pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, Lacio-Milan. Në shënjestër, Kristof Piontek dhe Çiro Imobile, dy “bomber” të shquar, por që nuk mundën të shënonin në “Olimpiko”. “Piontek e kishte karrikatorin bosh”, – ishte një titull për polakun e Milani. “”Çiro flop”, ishte “kartolina” për italianin e Lacios.

Një përgjigje e jep Xhenaro Gatuzo. “Ne ishim mirë vetëm në mbrojtje, – ishin fjalët e trajnerit të Milanit, – pavarësisht nga kjo, e vlerësoj shumë barazimin pa gola”. E pra, mesfusha milaniste më shumë u mundua të ndihmonte mbrojtjen sesa “atentatorin” nga Polonia.

Po Lacio? “Milani u mbrojt fort, – tha trajneri Inzagi, – kundërshtari nuk u tregua kurrë i rrezikshëm”. Imobile ishte njeriu më i mbuluar i mbrëmjes, dhe e pati të vështirë të gjente hapësira dhe të merrte topat e duhur nga shokët. Më të rrezikshëm për Lacion, ishin ata që u ndodhën më larg portës si Milinkoviç-Saviç apo Leiva.

Sfidanti.al