Ndeshja më e madhe e futbollit në botë gjithnjë ka heronjtë e saj. Për një dekadë (thuajse), simboli ishte dueli Lionel Mesi-Kristiano Ronaldo (apo anasjelltas), por tashmë portugezi është larguar për në Itali. Argjentinasi është aty dhe mbetet i madh, por mediat dhe publiku, në radhë të parë biznesi, kërkojnë protagonistë të rinj.
Për gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Mbretit, gazeta “Marka” i ka gjetur heronjtë e radhës. Ata janë “gjaku i ri” i dy të mëdhenjve të Spanjës, Vinisius Zhunior për Realin dhe Usman Dembele për Barcelonën.
Të dy në moshë të re, dhe me talent të madh, ndonëse braziliani duket më i qetë sesa francezi që u desh të kalonte “purgatorin” në “Kamp Nou”. Dembele ka luajtur rreth 500 minuta më shumë, apo 6 ndeshje më shumë, ka shënuar 13 gola ndaj 4 të Vinisiusit, ka më shumë gjuajtje në portë, më shumë pasime, por braziliani ka më shumë asiste, 8 me 6. Ky është edhe ndryshimi, pasi Dembele është sulmuesi klasik, edhe pse luan në krah, ndërsa ylli i ri i Realit është më shumë asistues.
Nuk dihet nëse do të jenë këta të dy që do të vendosin se kush do të shkojë në finale, apo do të jenë legjendat e vjetra si Benzema e Modriç në një krah, e Mesi me Suarezin në krahun tjetër. Ndeshja e parë në “Kamp Nou” përfundoi 1-1.
Sfidanti.al