Pak ditë më parë, Zllatan Ibrahimoviç u tall me fjalët e Kristiano Ronaldos se kishte shkuar tek Juventusi për një sfidë të re. Suedezi me origjinë boshnjake kishte të drejtë sepse çfarë sfide mund të jetë kur bashkohesh me skuadrën që ka fituar me lehtësi 7 tituj radhazi?!
Këto fjalë u kujtuan pas barazimit 3-3 të Juves në Serinë A, me Parmën, rezultat që solli thjesht kritika për momentin e bardhezinjve, aq më tepër pas eleminimit nga Kupa e Italisë, por nuk ndryshoi asgjë në shanset për titull. Napoli, edhe me fitoren 3-0 ndaj Sampdorias, është 9 pikë prapa kampionëve, kur janë edhe 16 ndeshje për t’u luajtur. Barazimi dhe kritikat thjesht krijuan iluzionin e emocioneve në futbollin italian, diçka që thuajse nuk ekziston prej vitesh.
Sa për Ronaldon, ai vërtet u dëshpërua për barazimin, por, thellë në vetvete, u ndje i lumtur që realizoi dy gola dhe që u bë shënuesi më i mirë i Serisë A për këtë edicion, me 17 rrjeta (5 me penallti). Po dy gola shënoi edhe Zhervinjo, ish-lojtar i Arsenalit që sot bën pjesë tek Parma.
Sfidanti.al