Në kohët sovjetike ishin fuqia e parë sportive e botës. Nuk është sot kaq lart Rusia, por si një vend i madh nuk dëshiron të mbetet prapa të parëve si SHBA-së apo Kinës, dhe kështu bën edhe kur dënohet për shkak dopingu që të mos marrë pjesë me emrin e saj Rusi, me flamurin e saj dhe me himnin kombëtar.
Gjithsesi, rusët e menduan dhe e gjetën një zgjidhje, e cila në të vërtetë nuk ishte tepër e vështirë për një vend me kulturë kaq të madhe. Në vend të himnit kombëtar, që si linjë muzikore është “pikë për pikë” me himnin e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik, drejtuesit olimpik kanë vendosur që të vënë në ekzekutim muzikën e Çajkovskit, kur sportistët e saj ngjiten në podiumin më të lartë olimpik.
Yje të tillë si Vitalina Bacashkina, Sofia Pozdniakova, David Beljavski, Jevgeni Rilov, Angelina Melnikova, Larisa Korobejnikova, Sofija Velikaja apo Anastasia Galashina kanë fituar medalje, ndër të tjerë, dhe Rusia po shkëlqen nën emrin e Komitetit Olimpik Rus. Janë gjithsej 11 medalje ari, në vend të katërt pas Kinës, Japonisë e SHBA-së, dhe 37 medalje gjithsej, për të cilat Rusia mbetet vetëm pas Kinës e SHBA-së. Pra, 11 herë në Tokio është luajtur muzika e shkëlqyer e Çajkovskit.
Sfidanti.al