Rrëfimi i Lotar Mateusit: Sa shumë shuplaka në fytyrë! Të merituara!

Kur ishte në kulmin e formës, në 1990, në një intervistë kujtonte veten si djalë i vogël. “Modeli im, – thoshte Lotar Mateus, cituar nga “Guerin Sportivo”, – ishte vëllai im më i madh. Unë nuk doja të bëhesha si ai, doja të bëhesha më i mirë se ai”. Kjo ambicie thuajse e shfrenuar e bëri një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve, kampion të botës e kampion të Europës, fitues titujsh në Gjermani e Itali.

Kjo ambicie e bëri edhe antipatik, nervoz, luftëtar shpesh të padurueshëm, duke krijuar armiqësi, e duke provuar 5 martesa. Padyshim, çështje personale, por është vetë Lotar Mateusi, simboli i futbollistit perfekt të Gjermanisë, që pranon sot në moshën 58-vjeçare: “Jeta më dha shumë shuplaka në fytyrë, që të gjitha të merituara”. Gjithsesi për tifozët gjermanë dhe bavarezë, ai do të mbetet kapiteni dhe regjisori, “I pamposhturi”, që ka rekordin e 150 ndeshjeve në kombëtare, rekordin e 25 ndeshjeve në finalet e Kupës së Botës, dhe rekordin që e ndan me Rafa Markezin, si lojtarët e vetëm (jo portierë) që kanë luajtur në 5 Botërorë.

Sfidanti.al