Merr 15 milionë euro në vit, por besohet se janë pak për Levandovskin

Është lojtari më i paguar në Gjermani, dhe do të fitojë edhe më shumë me kontratën e re. Robert Levandovski jepet me pagë 15 milionë euro në sezon, por e gjitha kjo i duket pak Lotar Mateusit, një njeriu që e di se çdo të thotë të jesh një yll i madh, dhe një kampion. Analiza e ish-liderit të Bajernit është e thjeshtë. “Gjëja më e pabesueshme për Levën është se ai ka luajtur 96 për qind të ndeshjeve për Bajernin, që kur u bashkua me ekipin, – theksoi ai, – kjo më bën të mendoj se ai nuk fiton aq sa e meriton për këto statistika të pabesueshme, madje pa llogaritur golat. Ai meriton të fitojë shumë më tepër se dikush që luan 50-60 për qind të ndeshjeve”.

Bajerni ka shënuar deri tani 5 gola në Bundesligë, dhe të pesta janë të Levandovskit. “Ai kurrë nuk luan dobët, kurrë nuk është i pezulluar, i dëmtuar, shumë rrallë i zëvendësuar, – vazhdoi Mateusi, – ai jep më shumë garanci, dhe është më i rregullt se të tjerët. Prej vitesh them se Roberti është numri 9 më i kompletuar, me diferencë të madhe me të tjerët”.

Sfidanti.al