Ajo që u pësua sezonin e kaluar nuk harrohet lehtë. Atletiko e Madridit ndoshta e pati këtë kompleks ndaj Juventusit në ndeshjen e radhës në Champions, pas eleminimit të rëndë e të papritur, por gjithsesi “shpirti” i Diego Pablo Simeones nuk ishte shuar. Me ekipin e tij që luajti mirë në pjesën e parë, dhe pësoi dy gola menjëherë në të dytën, trajneri argjentinas ishte motivuesi i jashtëzakonshëm që nxiti bardhekuqtë që të besonin e të merrnin pikën.
Duket pak kur luan në fushën tënde, por ishte shumë sepse fshiu disa “ëndrra të këqija”. Atletiko u tregua dyfish e zonja, së pari për të ndaluar Kristiano Ronaldon që nuk bëri dot ndonjë gjë të madhe, dhe së dyti për të rikuperuar dy golat e miqve shënuar nga Kuadrado e Matyidi. Stefan Saviç dhe Hektor Herrera barazuan duke realizuar me kokë. Atletiko hyri në këtë Champions me ndryshime të shumta, sidomos në mbrojtje, por e përballoi provën, ndërsa reagimi ishte i mirë pas humbjes në La Liga fundjavën e shkuar.
Sfidanti.al