Për 11 vjet mbajti veshur fanelën që kanë sot futbollistët e tij. Simone Inzagi mund të mos jetë aq lacial 24-karatësh, sa është Toti romanist, por gjithsesi është një djalë i shtëpisë. Që nga viti 1999 e deri më sot, ai ka vetëm një “atdhe”, Lacion, ku në 2010 i dha fund karrierës si futbollist dhe u bë trajner i ekipeve të moshave. Pas gjashtë vjetësh, u bë trajner i përkohshëm (kujdestar) i skuadrës së parë të Lacios, dhe po në 2016 u përzgjodh si njeriu i duhur në stol.
Një vendim i presidentit Lotito dhe drejtorit sportiv Igli Tare, që sot po shihet si tepër i goditur. Inzagi, pasi fitoi 7 trofe si futbollist përfshi titullin në 2000, vazhdoi me këtë mentalitet edhe në profesionin e ri. Në tre vjet ka marrë 3 trofe me bardhekaltërit, Superkupën në 2017, Kupën e Italisë në 2019 dhe sërish Superkupën në 2019. Të dyja Superkupat fituar në finalet ndaj Juventusit, rivalit të tmerrshëm që e mposhtu këto dy javë edhe në Serinë A, ku ndodhet vetëm 6 pikë larg Interit e Juves kryesuesë, madje me një ndeshje më pak të luajtur.
“Përtej ëndrrës për titullin duhet të vazhdojmë të punojmë kështu, që të kemi mundësi të arrijmë fitore të tjera, – u shpreh Inzagi, – kemi pasur mjaft mbrëmje të mëdha në këta 3 vjet e gjysmë, gjithçka është fryt i këtyre djemve që vazhdojnë të besojnë”. Synimi kryesor i Lacios mbetet Championsi, aty ku Inzagi nuk ka mbërritur dot, ndonëse pati dy vende të pesta në Serinë A. Tifozët kanë nisur të besojnë dhe nga 20 000 për ndeshje që ishin në 2016, sot janë mbi 30 000.
Sfidanti.al