Dikur ishte përgjigje e ditur për pyetjen “cila skuadër luan më mirë në Spanjë”. Barcelona! Sot, sërish mund të jepet një përgjigje, por ajo është Reali i Madridit. Duket si sakrilegj, por është e vërteta, veçse të besuarit e Zinedin Zidanit ende nuk kanë mësuar që spektaklin ta kthejnë në gola. Në duelin e mbrëmshëm ndaj Atletikut të Bilbaos në “Santiago Bernabeu”, madrilenët patën 20 gjuajtje drejt portës kundërshtare (8 në kuadrat), si dhe goditën tri herë shtyllat, por nuk shënuan dot asnjë herë.
Pra, mbetë sërish 2 pikë prapa Barcelonës, dhe kjo vetëm pak ditë pasi dominuan “El Klasikon” në “Kamp Nou”, kur sërish nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetë. Reali ka 33 gola në 18 javë, ndërsa katalanasit janë në shifrën 47! Një diferencë e jashtëzakonshme dhe e pamendueshme, por kjo është e vërteta.
Cili është problemi i Realit? Më shumë sesa stili i lojës, është çështe specialistësh për golin, dhe largimi i Kristiano Ronaldos ende nuk është zëvendësuar. Nëse nuk shënon Karim Benzema apo Garet Bejl, nuk ka kush e bën, pasi Vinisius duket se nuk e njeh mirë portën, Mariano nuk ka shans për të luajtur, ndërsa Joviç luan pak dhe duket se ndjen presion, pasi nuk është e njëjta gjë të kesh fanelën e Frankfurtit dhe atë të Realit. Rodrigo është ende tepër i ri.
Sfidanti.al